Përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri u pritën nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, z. Fate Velaj.

Fokusi i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Rrjetit dhe Ambasadës, si një urë lidhëse mes institucioneve shtetërore shqiptare dhe komunitetit të sipërmarrësve shqiptarë në Austri dhe më gjerë.

Në fjalën e tij, z. Yll Blakaj theksoi:

“Rrjeti ka për qëllim të jetë sa më pranë bizneseve shqiptare dhe të ofrojë platforma konkrete bashkëpunimi. Samiti i IV i Diasporës, që do të mbahet më 26–27 nëntor në Tiranë, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për prezantimin e iniciativave tona dhe për rrjetëzim dhe ndarje eksperiencash.”

Ai shtoi:

“Në Panairin e Bizneseve Shqiptare në Vjenë, do ti ftojmë edhe bizneset nga Shqipëria. Dhe aty do të na duhet ndihma e ambasadës. Gjithashtu për ti afruar investitorët shqiptarë të diasporës me Shqipërinë, duhet krijuar ura konkrete bashkëpunimi dhe investimi, për këtë pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë politik dhe institucional nga Shqipëria është shumë e rëndësishme”

Nga ana e tij, Ambasadori Fate Velaj u shpreh:

“Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare ka bërë një punë të shkëlqyer në fuqizimin e sipërmarrësve shqiptarë në të gjithë botën. Ambasada në Vjenë do të jetë gjithmonë partner i hapur dhe i gatshëm për të mbështetur çdo nismë që forcon lidhjet mes diasporës dhe vendit amë.”

Takimi përfundoi me gatishmërinë e palëve për të vijuar bashkëpunimin, duke e kthyer këtë dialog në një proces të qëndrueshëm dhe afatgjatë, në shërbim të interesave të përbashkëta të diasporës dhe Shqipërisë.

Në takim morën pjesë:

  • Fate Velaj – Ambasador i Shqipërisë në Austri.
  • Yll Blakaj – Kryetar i Rrjetit për Austrinë.
  • Safet Krasniqi – Kryetar për Vjenën.
  • Ardit Zendeli – Kryetar për Austrinë e Epërme.
  • Arben Myftari – Sekretar dhe Arkëtar.
  • Lindita Fetiu Sina – Koordinatore.
  • Blerina Serjani – Sekretare e Parë në Ambasadë, e ngarkuar me çështjet e diplomacisë ekonomike dhe diasporës.